Një udhëtim muzikor në vëndin e Servantesit

" Un viaje musical en el pais de Cervantes"
 

Netët e Muzikës Klasike

Edicioni VII

 

Durrës 1-7 Gusht 2015

 

BIENALE DURRES -Edicioni i VI
Shkarkoni programin
NMK 15.pdf
Document Adobe Acrobat [468.9 KB]

“Donde música hubiere, cosa mala no existiere”

Don Quijote

 

 

Spanja, nje histori dashurie

Para disa kohësh, në bar El Preludio në breg të oqeanit në La Coruña, lexoj  në shtyp një lajm që më bëri të mendohem: në gjiun e Durrësit ish zbuluar një anije spanjolle e mbytur në ato ujra rreth… 1700 vjet më parë. Ajo anije, sipas gazetes El País,"transportonte mallra me shumë vlerë e të zgjedhura me kujdes (verera, vajra etj.) për të kënaqur shijen e hollë të aristokracisë së kohës".

Pra, 17 shekuj më parë...Nuk e dija që lidhjet me Spanjën ishin kaq të hershme. Dija mbi lidhjet e ngushta të Skënderbeut me Fernando I të Napolit, principata e mbretëris së Aragonit e cila, pas vdekjes së Skënderbeut, mori në mbrojtje familjen e tij. Drejtori i Institutit Cervantes, pas një koncertit tim në Napoli,  më foli gjatë për këtë lidhje dhe, ndërsa ai tregonte detaje pafund për Kastriotët, unë ndjehesha sa i paditur aq dhe krenar;  Dija gjithashtu që i madhi Cervantes  kish qenë rob i një pirati shqiptar me emrin Arnaut Mami për pesë vjet rresht, mgjs ky fakt nuk ishte dhe aq për t´u krenuar. Pas lirimit, Cervantesi shkruan El Quijote, librin më të mirë të historisë me të cilin fillon letersia moderne. Nuk e di a ka ndonjë lidhje mes njohjes me piratin shqiptar e krijimit të personazhit të Don Kishotit?...;  Dija që Don Kishotin e sjell në Shqipëri një peshkop i ditur, Fan Noli, tre shekujsh më pas. Kalorësi i marrë magjeps shqiptarët me fantazmagorine e tij, “ky delir i mrekullueshëm që ka të bëj me lirin” siç do shkruante Kadare peër të. Më pas hyri Arti i madh spanjoll me librat mbi Goya -n e me albumet e Velasquez, Murrillo, El Greco ndersa gjenite e Artit Modern si Picasso, Miró apo Dalí duhej t´i shfletonim fshahurazi gjatë viteve të diktatures gjë që ja shtonte akoma më shumë joshjen magjike. Në këtë rradhë, muzika spanjolle ishte e fundit që hyri në Shqiperi.
E gjitha kjo ngjan me një histori dashurie e cila fillon me vera, vazhdon me princër, rrëmbime, delire, fshehtësi, për të përfunduar në pasionin shfrenues të një Fandango…Dhe në po atë breg deti ku njerëzit shquheshin për “shijet e holla aristokratike".

Në fakt,  Durrësi është qyteti shqiptar ku më shumë është luajtur muzika spanjolle dhe, nga ana tjeter, nga ku më shumë  instrumentistë, kompozitorë e artistë, janë perfaqësuar në Spanjë.

Nëse dikush do më pyes “Pse Durrësi?” unë do përgjigjesha se ishin “Netët e Muzikës Klasike” ato që krijuan këtë ur tingujsh me Spanjen. Por, diku breënda meje, ndjej se kjo ka qenë ndoshta edhe një lidhje tjetër, shumë më e vjetër, si “e shkruar” në amanetet e marinarëve të një anije të mbytur 1700 vjet më parë në bregun e Durrësit…

 

FlorianVlashi

Spanje, La Coruña 26 nentor 2014